No News items can be found, please choose another source of article

 

1.  Zhvillimi i balancuar ekonomik dhe social i rajonit për sigurimin e një jete më të begatë dhe parandalimin e migracionit ekonomik

 

Rajoni Tiranë-Durrës-Dibër paraqitet mjaft i zhbalancuar në drejtimin perëndim-lindje.  Në kohën kur Tirana dhe Durrësi përfaqësojnë dy qytete të mëdha dhe Tirana njihet si metropoli shqiptar, qarku i Dibrës bën pjesë në zonat më të varfëra të Shqipërisë dhe më pak të zhvilluara.  Kuptohet që në zhdrivillim të një strategjie tërësore zhvillimore në planin ekonomik e social ku përfshihen përbërësit kryesorë ekonomikë si industria (prodhuese, minerare, nxjerrëse), agrikultura, peshkimi, industria përpunuese e prodhimeve bujqësore dhe e frutikulturës, turizmi, tregëtia, kultura (tradita, trashëgimia kulturore, etnografia, folklori, etj.), elementi i parë mbështetës i zhvillimit ekonomik dhe social të një hapsire është sigurimi i rrugëve të komunikimit me qendrat e mëdha të zhvilluara.  Ky komunikim parashikohet të zhvillohet përmes kalimit suksesiv nga zonat me dendësi popullsie të ulët në zonat me dendësi popullsie më të lartë duke krijuar ballkonet e pritjes ose ndryshe qendrat urbane që vijnë duke u rritur në këtë drejtim.  Kjo gjë do të bëhet përmes rrugëve alternative të transportit.  Këto rrugë shihen si të domosdoshme për të gjitha zonat periferike urbane dhe ato që formojnë hinter-landet e tyre si zonat rurale fushore, kodrinore e malore. Veçoria gjeografike-fizike e Shqipërisë paraqitet e tillë që në gjeoformimin e saj dhe krijon mundësi reale për zbatimin e kësaj lloj strategjie.

 

2.  Infrastruktura e brendëshme urbane dhe shërbimet publike

 

Përvoja e deritanishme në infrastrukturën urbane në shërbimet publike të furnizimit me ujë, të shkarkimit të ujrave të zeza, të trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe urbane, të mbetjeve spitalore, të furnizimit me gaz, energji etj. na kanë mësuar që nënvleftësimi i një manaxhimi të kujdesshëm dhe efikas çon në uljen e ndjeshme të rezultatit deri edhe në degradim të investimeve që bëhen në këtë fushë.  Duke qenë të bindur se në keto 25 vjet në këtë sektor janë thithur mbi dy miliard euro dhe miliona të tjera të coptuara e të paevidentuara të investuara jashtë strukturave manaxhuese e monitoruese, dhe nuk kanë dhënë rezultatin e pritshëm ne e shohim si një drejtim prioritar përmirësimin rrënjësor të punës në drejtim të manaxhimit, mirëmbajtjes dhe rinovimit.  Vetëm në sektorin e ujësjellësve vlerësohet të jenë investuar ose ofruar nga donatorët mbi 500 milion euro, ndërsa investimet në ujësjellësit të ashtëquajtur për zonat rurale dhe fshatrat kapin miliona të tjera euro.  Nisur nga këto premisa, AZHR2 do të shohë mundësitë e financimit në këtë sektor përmes donatorëve të ndryshëm, buxhetit të shtetit dhe formave të tjera të investimeve nga sektori privat.  Vëmendja do të përqendrohet në infrastrukturën ujore ku do të shihen mundësitë e një manaxhimi më të mirë mbi bazën e krijimit të ujësjellsave rajonalë, të shfrytëzimit më me efikasitet të impianteve të përpunimit të ujrave të zeza dhe ngritjen e impianteve të reja në zonat më sensitive mjedisore që pengojnë dhe frenojnë dukshëm zhvillimin e turizmit.  Mbi bazën e përvojave të vendeve të zhvilluara europiane, kryesisht Gjermani, Itali, Zvicër, Austri, etj. do të shihet mundësia e bashkimit të këtyre shërbimeve në ndërmarrje të mëdha, madje do të nxiten studime në këtë fushë edhe për krijimin e një ndërmarrje të vetme rajonale. 

 

3.  Strategjitë urbane sipas profilit të zonave duke u nisur nga parimi europian i zhvillimit përmes konceptit të ‘smart cities’

 

Bazuar në parimin themelor të zhvillimit të qendrave urbane, ‘smart cities’ është zgjidhja më oportune në zhvillimin ekonomik dhe social të një zone që redukton në mënyrë drastike kostot e transportit dhe të rrugëve komunikuese.  Esenca e kësaj metode qëndron në faktin që ndërtimi i rrugëve komunikuese nuk i lihet spontanitetit por ecën mbi parimin e shpërndarjes nga magjistralet ose arteriet kryesore që vijnë duke u zvogëluar në rrugë më të vogla deri në shtigjet malore.  Në se do t’i liheshin rastësisë do të kishim rrugë pa fund me një kosto shumë të lartë dhe me perspektivë që këto rrugë të mbeteshin të shkretuara.  Një studim i thelluar social-ekonomik do të jetë bazë e perceptimit të sistemit rrugor dhe komunikues brenda rajonit Tiranë-Durrës-Dibër si ndërmjet qarqeve ashtu edhe në hapsirat brenda qarqeve.  Kjo lloj strategjie do të krijojë mundësitë e lidhjeve mes qendrave të mëdha dhe qendrave më të vogla deri në pikat më të largëta.  Konkretisht për qarkun e Tiranës, ku zhbalancimi ekonomik dhe social paraqitet tepër i theksuar, zbatimi i një strategjie që të ketë në thelb ngushtimin e këtij hendeku është më se i domosdoshëm.  Në Tiranë, pavarësisht afërsisë me metropolin, zonat lindore në këmbë të malit të Dajtit dhe prapa malit të Dajtit jetojnë në një varfëri ekstreme, por jo më pak duhet të bëhet edhe për zonat e tjera të malit të Krrabës dhe për zonat e tjera periferike rurale.  Fshatari në përgjithësi është i lidhur me tokën dhe psikologjia e tij kërkon që shërbimet të jenë pranë.  Prandaj parimi i ‘smart cities’ është një parim universal që mund të zbatohet në të gjitha hapsirën e këtij rajoni.  Veçanërisht për zonën malore të Dibrës e cila në tërësi është padyshim më e varfëra në të tre qarqet e Rajonit 2.

 

4.  Zhvillimi i një infrastrukture të shumëllojshme për rritjen e shpejtësisë së komunikimit përmes transporteve alternative

 

Infrastruktura lidhëse që parashikohet nga qendrat e mëdha deri në pikat më të largëta të qarqeve, që janë zonat malore dhe zonat e largëta rurale, do të jetë e shumëllojshme në perputhje me profilin dhe terrenin.  Kështu mendohet që si rrugë alternative komunikuese të jenë:

 

  1. Rrugët kryesore (arteriet) që mbështesin zhvillimin strategjik si në shkallë rajoni ashtu
    edhe në shkallë vendi;
  2. Rruga e Arbrit do të jetë aksi kryesor mbi të cilin do të mbështetet gjithë zhvillimi ekonomik dhe social i pjesës më të varfër të rajonit.  Kjo rrugë njëkohësisht do të sigurojë komunikimin e plotë me të gjitha qendrat urbane dhe pikat më të largëta malore dhe rurale të Rajonit 2;   
  3. Rrugët sekondare, terciare dhe shtigjet do të ndërtohen mbi principin e ngritjes së qendrave të banuara të quajtura ‘smart cities’.  Këtu parashikohet një kosto shumë e lartë investuese për shkak të terreneve të thyera.  Për këtë arësye do t’i kushtohet vëmendje gjetjes së teknologjive më të avancuara që garantojnë një kosto optimale më të ulët nga ajo që është aktualisht;                                                               .
  4. Ndërtimi i rrugëve turistike të karakterit sezonal dhe të përhershëm përmes hapjes së shtigjeve të ndryshme në zona të vështira do të ndihmojë zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të rajonit.  Këto rrugë do të ndërtohen në përputhje me strategjinë sektoriale dhe guidat turistike aktuale si edhe me ato që do të përmirësohen.  Kjo do të mbështetet në traditën e popullit shqiptar për të siguruar komunikimin nëpërmjet staneve dhe qendrave te vjetra antike të cilat do të rigjallërohen;                                                                  .
  5. Komunikimi alternativ përmes metodave tradicionale dhe moderne.  Parashikojmë që si mjet komunikimi modern dhe më i përshtatshëm për lidhjen e zonave malore, të luginave e të rrafshnaltave me pjesët më të ulta gjeografike të vendit të bëhet përmes rrugëve ajrore kabllore me ngritje e zbritje të mekanizuara.  Teknologjia e transportit dhe komunikimit me anë të rrugëve kabllore do të jetë nga më të ndryshmet në përputhje me terrenin, profilin dhe leverdinë ekonomike.  Për këtë do të merret përvoja e vendeve më të zhvilluara të Evropes në fushën e transportit me rruge kabllore si ajo e Zvicrës, Austrisë, Italisë, Francës, etj.;                                                                   .

 

5.  Zhvillimi i komunikimit ndër-rajonal brenda vendit si mundësi bashkëpunimi me rajonet fqinje për zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe të bizneseve

 

Rajoni 2, si një rajon qendror ku kryqëzohen katër rrugët veri-jug dhe lindje-perëndim, përballet me sfida të mëdha që kërkojnë një vëmendje të veçantë në trajtimin e tyre të kujdesshëm për t’i shfrytëzuar ato si mundësi potenciale zhvillimi.  Përshkimi i këtij rajoni nga korridoret veri-jug (Korridori i Kaltër ose Korridori 10 në perspektivë per t’u zhvilluar), Korridori lindje-perëndim ose Korridori 8, nga magjistralet kryesore si Rruga e Kombit dhe Rruga e Arbrit, krijon mundësi potenciale të mëdha për zhvillimin social dhe ekonomik.  Lidhjen me to AZHR2 do ta konsiderojë si një objektiv strategjik të rëndësishëm për t’u arritur, pasi krijohen mundësi për ndërtimin e rrugëve të tjera dytësore për të lidhur më me efikasitet rajonet e veriut me rajonet e jugut si në zonën lindore edhe në atë perëndimore duke përshkruar zona të tëra rurale.  Kështu do të vihet theksi në interkonjeksionin e rrugëve ekzistuese me ato të reja për të krijuar një vijimësi komunikimi si për transportin e mallrave ashtu edhe të njerëzve. Parashikohet që këto ndërhyrje të jenë mbi 80% në zonat rurale për t’u krijuar atyre mundësi të reja për t’u lidhur me rajonet e tjera fqinje brenda vendit dhe me rajonet e vendeve fqinje.  Këtu theksi do të vihet padyshim në të tre qarqet, Tiranë-Durrës-Dibër, për të krijuar komunikime direkte si brenda rajonit, ndër-rajonale ashtu edhe ndër-kufitare.  Parashikohet të ndërtohen rrugë në akse të ndryshme që lidhin si qendrat e reja urbane që parashikohet të ngrihen ashtu edhe ato ekzistuese.  Këto akse do të studjohen nga ekipe të specializuara që do të trajtojnë problemet e zhvillimit ekonomik e social si edhe ato të zhvillimit urban në këtë rajon mbi bazën e parimit të ‘smart cities’.  Zbatimi i kësaj strategjie do të sigurojë lidhjen e Tiranës me të gjitha zonat turistike të prapa Dajtit duke shfrytëzuar aksin Tiranë-Bizë dhe duke ndërtuar degëzime të reja për të ndihmuar zhvillimin social-ekonomik të zonave të varfëra.  I njëjti parim do të përdoret edhe për qarkun Dibër dhe qarkun Durrës.

 

6.  Integrimi i Rajonit 2 në rrjetet infrastrukturore rajonale me vendet fqinjë dhe të Ballkanit si edhe me korridoret kryesore evropiane që operojnë në rrjetin TEN dhe më gjerë

 

Në planin infrastrukturor ndërkombëtar të transportit të të gjitha llojeve si atë tokësor, detar dhe ajror dhe transportit të kombinuar, Rajoni 2 paraqitet si një pikë nyje e rëndësishme jo vetëm rajonale por edhe evropiane.  Ky rajon siguron lidhje me transportin me rrjetin evropian TEN dhe me rrjetet e tjera të rajonit në drejtimet veri-jug dhe lindje-perendim të përshkruara më lart.  Duke qenë i tillë ne parashikojmë impakte të mëdha pozitive në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.  Lidhja me to i krijon Rajonit 2 mundësi komunikimi direkte me të gjitha rajonet e Europës.  Nga ana tjetër një vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe ndikimit në mjedis për shkak të emetimit të gazrave CO2, CO, NO3, NO2, NO, SO, etj. për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe ruajtjen e florës dhe faunës.

 

7.  Zhvillimi i bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit në përputhje me veçoritë e Rajonit

 

Në planin strategjik AZHR 2 e konsideron zhvillimin e bujqësisë, të agroindustrisë dhe të peshkimit si faktorin kryesor të zbutjes së polarizimit të madh në zhvillimin ekonomik dhe social mes zonave të varfëra dhe zonave urbane të zhvilluara.  Ky nuk do të jetë vetëm një argument retorik por një objektiv konkret për zhvillimin e zonave të varfëra ku potencialet e mëdha natyrore dhe njerëzore nuk mungojnë por mungon sinergjia e përdorimit të tyre.  Pikërisht në këtë drejtim ne do të hartojmë politika, programe dhe projekte konkrete.  Përmirësimi i manaxhimit të resurseve natyrore në bujqësi, agro-industri dhe peshkim do të jetë fokusi i vëmendjes tonë për të siguruar një efiçiencë dhe konkurueshmëri të lartë.  Projektet do të përfshijnë pa diskutim të gjitha degët e zhvillimit ekonomik.  Burimet financiare të parashikuara për t’u shfrytëzuar nga ana jonë do të jenë investimet e biznesit të brendshëm, investimet e huaja direkte dhe projektet me donatorë tradicionalë që janë prezentë prej kohësh në Shqipëri si Banka Europiane për Zhvillim, Banka Botërore, KfW, Kooperacioni Italian, ADA-Austri,
SECO-Zvicër, etj. 

 

8.  Mbrojtja e mjedisit dhe ripërtëritja e tij nga dëmtimet dhe degradimet e deritanishme - kusht kryesor i ruajtjes së pasurive natyrore dhe i shfrytëzimit të tyre si potenciale zhvillimi

 

Duke qenë se mjedisi eshtë një çështje me ndjeshmëri shumë të lartë në të gjitha drejtimet sidomos në respektimin e standarteve dhe normave të vendeve të Bashkimit Europian, AZHR2 do ta përqendrojë vëmendjen në mbështetjen e një menaxhimi të kujdesshëm dhe të ruajtjes së burimeve ujore nëntokësore dhe mbitokësore, të zonave bregdetare, të lumenjve e përrenjve, liqeneve natyrore dhe baseneve artificiale, nga shkarkimet e mbetjeve urbane, rreshjet, faktorët gjeologjike, etj.  Vëmendje do t’i kushtohet bashkëpunimit me institucionet monitoruese dhe agjencitë e mjedisit për të nxjerrë problemet emergjente dhe të një perspektive të afërt që kërkojnë mbështetje financiare dhe investime.

 

9.  Zhvillimi i turizmit si burim i rritjes së mirëqenies dhe uljes së varfërisë në përputhje me politikat mjedisore

 

Rajoni 2 paraqitet si rajoni më i favorshëm dhe më i kompletuar për zhvillimin e të gjitha llojeve të turizimit si ai bregdetar masiv dhe elitar, klimaterik, kurativ, historik, kulturor, turizmi malor etj. jo vetëm në aspektin sezonal por edhe në të gjitha stinët.  Për ta bërë sa më atraktiv këtë turizëm, strategjia jonë parashikon krijimin e kushteve reale për komunikim, transport, strehim, pastërti, higjenë dhe ngritjen e shërbimeve të çdo lloji. 

 

Mundësitë alternative që ofron tradita shqiptare për të përshkruar zona turistike nga më të bukurat e rajonit si Liqenet e Lurës, Parku natyror i Korabit, kanionet dhe ujvarat, bukuritë natyrore të malit të Dajtit, të luginës Tiranë-Shëngjergj-Bizë, të luginës së lumit të Tiranës prapa Dajtit, të hapsirës kodrinore Tiranë-Durrës, pyjet e Krrabës, të pasurive natyrore të zonës kodrinore të Kavajës, të hapsirës Durrës-Fushë-Krujë-Krujë, etj. do të sigurojnë kushte të mrekullueshme relaksimi dhe zbavitjeje për kalimin e kohës nga turistët.  Ata do të kenë mundësi të kalojnë përmes shtigjeve ekzotike e panoramike, mes bukurive natyrore të rralla, të kapërcejnë lumenj me anë të urave të improvizuara ku do të kombinohet tradita me modernen.  Do të krijohen mundësi për të kaluar përmes qendrave të vjetra arkeologjike, kulturore, religjioze, pelegrinazhi, etj. si edhe për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe atij fantazist që revokon përjetime të mëdha emocionale në kapërcimin e honeve, luginave, përrenjve, etj.  Në këto udhëtime një rol të rëndësishëm do të luajnë hanet, stanet, shtëpitë e veçanta të përshtatura si bujtina që do të mbështeten nga transporti me kafshë.  Do të ofrohen oportunitete për kapërcimin e pengesave me anë të zbritjeve dhe ngjitjeve të karakterit alpin.  Do të sigurohen shtigje të përshtatëshme per t’u kaluar me biçikleta, motorçikleta të lehta malore, etj.  Turizmi në këtë zonë nuk do të jetë thjesht një udhëtim gjeografik, por edhe një udhëtim në kohë përmes historisë.  Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet sistemimit urban të zonës bregdetare ku rëndësi do të marrin zhvillimi i transportit qytetar për të shkarkuar ngarkesat e mëdha nga akset nacionale.  Ndërsa turizmi detar do të marrë vëmendje të veçantë kryesisht në drejtim të modernizimit të tij në mbështetje të përvojës pozitive të vendeve të përparuara.  Do të krijohen mole dhe mikro-porte për jahte turistike dhe do të ulet në minimum efekti i ndotjes së bregdetit që vjen për shkak të shkarkimit të mbetjeve dhe të ujrave të zeza urbane. 

 

10.  Gjetja e rrugëve efikase për uljen e kostos së projekteve të zhvillimit

 

Të bindur se mjetet financiare në zbatimin e planit tonë strategjik për zhvillimin e Rajonit 2 do të jenë të kufizuara, kemi parashikuar njohjen dhe përzgjedhjen e teknologjive të avancuara dhe alternative që sigurojnë një kosto të ulët ose optimale për ndërtimin e rrugëve.  Ndërtimi i rrugëve, siç është shprehur edhe më lart, parashikohet të jetë aktiviteti që do të përthithë pjesën më të madhe të fondit të zhvillimit ekonomik dhe social të kësaj zone.  Për këtë, mbi bazën e një programi të saktë të hartuar dhe të shtrirë në hapsirë dhe kohë do të organizojmë seminare, workshope, round-tables, dhe takime të tjera të hapura për demonstrimin dhe njohjen nga afër me këto teknologji.  Do të identifikohen subjektet që ofrojnë këto lloj aktivitetesh dhe teknologjish të cilët do të ftohen për të referuar përmes shpalljes në media dhe në internet të interesit tonë për të organizuar aktivitete të tilla.

 

11.  Zhvillimi industrial në përputhje me kushtet dhe pasuritë e vendit mbi bazën e know-how dhe të teknologjive të reja

 

Në këtë drejtim parashikohet një bashkëpunim i ngushtë me biznesin dhe institucionet e ngritura prej tij si Dhomat e Tregëtisë, Shoqatat e Biznesit, etj.  Ky bashkëpunim do të koordinohet me të gjitha strukturat aktuale në nivel të pushtetit vendor për të përgatitur programe dhe plane investimi e për t’ia parashtruar ato strukturave qendrore.  Në gjithë këtë proçes do të respektojmë iniciativën e lirë të biznesit dhe do ta përkrahim atë duke kontribuar me incentiva të ndryshme për një shpërndarje më racionale të shërbimeve në përputhje me nevojat reale duke e orientuar kryresisht në drejtimin e shfrytëzimit të pasurive natyrore të vendit.

 

12.  Zhvillimi arsimor, kulturor dhe social i zonës

 

Zhvillimi arsimor dhe kulturor i zonës do të mbështetet në sigurimin e një sistemi arsimor efikas të parashikuar në strategjitë perkatëse sektoriale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve të tjera qendrore që kanë strategji të mirëfillta në këtë fushë.  Strategjia jonë dhe politikat tona për zhvillimin e Rajonit 2 do të mbështeten në parimin e ngritjes së qendrave urbane ‘smart cities’ në mënyrë që të mos ketë qendra të cilat do të mbeten të pazhvilluara për shkak të mungesës së shkollave.  Në zonat e largëta shkolla praktike e fleksibël, kryesisht të ciklit të ulët, duke ardhur e afruar në zonat më të populluara me shkollat e arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.  Do të shihet që krahas mundësisë së aksesit të të gjithë popullsisë së rajonit në shkollat e ndryshme profesionale që ka rajoni të ngrihen edhe shkolla të reja profesionale të ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë edhe në zonën e Dibrës.  Në këtë drejtim do t’i kushtohet vëmendje e veçantë bashkëpunimit me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ngritjen e qendrave të përgatitjes profesionale dhe trajnimit.

 

13.  Zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe aplikimi i teknologjive bashkëkohore të informacionit

 

Plani strategjik i zhvillimit të Rajonit 2 do të mbështetet fuqimisht me teknologjinë e informacionit në të gjitha drejtimet për rritjen e shpejtësisë së komunikimit dhe garantimin e disponueshmërisë së informacionit në rrugë elektronike.  Teknologjia e informacionit do të përdoret për këmbimin e ideve, planeve, programeve në distance, për organizimin e konferencave on-line, për aksesimin e guidave udhëzuese dhe prezantuese për Rajonin, etj.

 

 

 

Partnerët

  • 13.jpg
  • 7.jpg
  • 5.jpg
  • jica.jpg
  • 12.jpg
  • 4.jpg
  • 11.jpg
  • ministria-e-zhvillimit.jpg
  • ministra-e-transportit.jpg
  • kfw.jpg

Thirrje për Projekte

  • Thirrja per aplikime Janar 2017
  • Thirrja per aplikime Shkurt 2017
  • Thirrja per aplikime Mars 2017
  • Thirrja per aplikime Prill 2017

 

Fotogaleria

Foto nga Aktivitetet

 

Abonohu

Kontakt

Agjencia për Zhvillim Rajonal 2
Adresa: Rr. Skënderbej 6/1/7
Tirana, ALBANIA

Mail: info@rda2tirana.org.al