Pazari i Krujës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore në funksion të zhvillimit rajonal ka qenë tema e takimit të organizuar të enjten, në Ditën Kombëtare të Trashëgimsië Kulturore. Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 në bashkëpunim me Bashkinë Krujë, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Zonën për Zhvillimin e Turizmit ishin partnerët e organizimit të takimit, “Forcimi I mëtejshëm I trashëgimisë kulturore dhe artizanatit, një mundësi reale në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit tonë”, ku morën pjesë profesorë të njohur në fushën e trashëgimisë kulturore të cilët kanë shtruar për diskutim, problematikat, por edhe mënyrën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore e punën artizanale, për të cilën Kruja është e famshme, rivitalizimin dhe nxitjen e zhvillimit te artizanatit dhe zejeve krutane ne menyre qe ne kete Pazar te tregtohet, por edhe te reklamohet kultura, tradita dhe mjeshteria shekullore krutane. Vendi i takimit ka qenë Pazari i Krujës ku vajza e djem të rinj, të veshur me veshje popullore kanë mirëpritur të ftuarit, sipas traditës, ndërsa Pleqtë e Krujës, një nga trashëgimitë e gjalla të Krujës kanë përshëndetur me këngë të repertorit të tyre. 

 “Kemi ftuar sot specialiste të fushës, profesorë e akademikë të nderuar, partnerë të agjencisë tonë dhe mjeshtra krutanë sepse vetëm kjo formë e gjerë partneritetit mund të na çojë drejt qëllimit të përbashkët, atë të zhvillimit dhe përfitimit ekonomik e social nga të gjithë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillim Rajonal 2, Arben Skënderi.

Gjithashtu Prefekti i Durrësit, Roland Xhelilaj ka përshëndetur të ftuarit duke i siguruar për mbështetjen që Qeveria Shqiptare është gati të jape në funksion të këtij zhvillimi.

Prof.Dr. Miaser Dibra, drejtore e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ka vënë theksin në rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, zhvillimit të saj si traditë dhe si mundësi për të përcjelle çdo vlerë edhe të funksion të zhvillimit të krejt zonës ku kjo traditë zhvillohet. 

Prof.Dr. Afërdita Onuzi, etnografë e njohur, ka folur për Pazarin e Krujës si traditë dhe bashkëkohësi. Ajo ka vënë theksin në ndryshimet që ndodhën pas viteve ’90-të edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. “Pas viteve ’90-të, tregu u mbush me objekte herë të blera e herë të vjedhura”, ka thënë Onuzi. Ato shiteshin me çmime shumë të lira dhe qarkulluan në mënyrë të pakontrolluar. Unë dhe kolegët e mi shqetësoheshim dhe ndiqnim fatin që do të kishte kjo trashëgimi”. Etnografja u ka bërë thirrje artizanëve dhe koleksionistëve t’i drejtohen Muzeut Etnografik për të vlerësuar objektet që disponojnë sepse, siç tha ajo, “ka shumë prodhime që nuk dihet se çfarë janë”. Ndërsa në fund ajo theksoi domosdoshmërinë e regjistrimit të antikuareve. “Kam parë shumë të tilla”, tha Onuzi, dhe është në të mirë të tyre t’i regjistrojnë e t’i kenë të sigurta. Gjithashtu vë re që në Pazarin e Vjetër të Krujës shiten prodhime të ndryshme nga Kina, Pakistani etj”, ka thënë ajo. “Një turist i huaj nuk ka nevojë për këtë, mund t’i blejë vetë në vendin e origjinës. Ne kemi produktet tona me të cilat krenohemi e mund t’i shesim. Besoj mund të gjendet një mundësi që këto lloj produktesh të grupohen në një vend tjetër, jashtë Pazarit të Krujës, në mënyrë që ky Pazar të ruhet për atë që është dhe që ka vlerë”.

Në të njëjtën linjë, atë të ruajtjës së thesareve të zbuluara të trashëgimisë kulturore, disa prej të cilave i ka prezantuar para të ftuarve, ka qëndruar edhe restauratori i njohur, Porf.Asoc. Frederik Stamati.

Ndërsa Florind Cerhozi, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Krujë tha se falë investimit të fundit të kryer nga AADF, me restaurimin e pazarit të vjetër është shënuar edhe një shtim i numrit të vizitorëve. “Ky fondacion nuk e përfundoi me kaq ndërhyrjen në Krujë, por në bashkëpunim me bashkinë jemi në fazën e implementimit të fazës së dytë të projektit që edhe esenca dhe ajo për çka jemi mbledhur sot këtu, që është rivitalizimi dhe nxitja e zhvillimit të artizanatit dhe të zejeve krutane, me qëllim profilizimin e pazarit të vjetër si një shteg ku jo vetëm bëhet tregti por edhe reklamohet kultura, tradita dhe mjeshtëritë tona shekullore”.

Më pas të ftuarit kanë vizituar pazarin dhe janë takuar me artizanë, të cilët u kanë prezantuar objektet dhe punime karakteristike artizanale dhe në fund Muzeun Etnografik, Gjergj Kastrioti.

Vendi ynë, si vend tipik mesdhetar i ka të gjitha kushtet për kultivimin e hardhisë dhe siç rezulton nga zbulimet arkeologjike Shqipëria ka qenë një nga vatrat më të lashta të kultivimit të saj. Zhvillimi i vrullshëm në vreshtari, në Shqipëri, u shënua pas vitit 2002, ku një pjesë e mirë e teknikëve të fushës (agronomë dhe teknologë të përpunimit të frutikultures), filluan të investonin në vreshtari. 

Tashmë edhe vreshtarët shqiptarë janë ndërgjegjësuar dhe janë më të kujdesshëm në investimet e tyre duke bërë hapat e duhur në projektim vreshti, analizim terreni e njohje të mikroklimës.

Duke qenë se një nga zonat më të pasura në këtë fushë shtrihet në qarkun e Tiranës dhe Durrësit, Agjencia për Zhvillim Rajonal 2, në bashkëpunim me bashkitë Shijak e Kavajë, ka përshkuar një pjesë të asaj që u pagëzua si Rruga e Verës. Destinacioni i pare ka qene Kantina Bardha në Marikaj, më pas kantina Skënderbeu në Shkozet, vreshtat e kantinës Belba në Kavajë dhe kantinën Kokomani në Shijak. Të tjera kantina të sukseshme në zonë janë Herta, Zika, Enisa etj. Ky rugëtim është bërë më qëllim, shndërrimin e Rrugës së Verës në një atraksion dhe destinacion turistik për vetë potencialet që ajo ka.

Të dielën e 26 qershorit Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Ministrinë e Arsimit dhe bashkitë Dibër, Bulqizë, Mirditë dhe Mat kanë organizuar të parin aktivitet në kuadër të projektit “Rivitalizimi i Parkut Kombëtar të Lurës”. Ky aktivitet i parë konsiston në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj ruajtjes së vlerave mjedisore dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Me shumë se 200 të rinj të shkollave të mesme të bashkive Peshkopi, Rrëshen, Burrel dhe Bulqizë i janë bashkuar aksionit të nisur në zonën e Liqenit të Madh të Parkut të Lurës për pastrimin e tij. Bashkë me banorë të fshatit Lurë është realizuar largimi i trungjeve të mbetura dhe sistemimi i tyre në anë të rrugës.

Në aktivitet përveç kryetarëve të njesive përkatëse të pushtetit vendor ka marrë pjesë edhe Këshilltari i Kryeministrit, Sandër Lleshi, i cili ka shprehur mbështetjen e kryeministrit Rama për realizimin e këtij projekti.

“Jemi rritur dhe kemi jetuar në një vend ku Lura përmendej si një nga perlat e natyrës shqiptare”, ka thënë këshilltari I Kryeministrit Rama. “Për fat të keq dëmtimet e këtyre 25 vjetëve kanë qenë të mëdha, por unë jam këtu për të shprehur mbështetjen e Kryeministrit dhe qeverisë Shqiptare për të iniciuar një projekt që do ta kthejë Lurën në një destinacion turistik dhe për t’i dhënë vendin që i takon këtij parku”.

Gjithashtu kryetarët e bashkive kanë shprehur kënaqësine dhe falenderimet për këtë nismë të iniciuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal Tiranë për Lurën. Ata janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë të gjithë në mënyrë që Lura të kthehet në një destinacion turistik, siç edhe i takon të jetë.

Pas aktivitetit përfaqësuesit e njesive të qeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nënshkruar me Agjencinë për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë nismën e përbashkët për rivitalizimin e Parkut të Lurës. Kjo nismë parashikon: 

- pastrimin e mbetjeve drusore dhe mbeturinave; 

- mbjelljen e farave të llojeve të bimëve të instaluara në park; 

- fushata sensibilizimi në komunitetin që jeton në zonë dhe në te gjithë opinionin publik;

- pjesmarrje të komunitetit të zonës në rivitalizim, por edhe të të gjithë aktorëve dhe opinionit;

- politika e projekte për nxitjen e turizmit malor në çdo stinë; 

- përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe asaj akomoduese turistike; 

- marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet bashkive dhe agjencive për projekte konkrete; 

- mbështetje financiare nga donatorë të ndryshëm për të realizuar kështu fillimin e një ripërtëritjeje të organizuar të zonës;

Për konkretizimin e mëtejshëm të kësaj nisme është parashikuar edhe hapja e një llogari bankare, me të cilën ftohen të kontribuojnë të gjithë njerëzit, institucionet shtetërore, biznesi privat dhe institucionet financiare në vend. Kjo llogari do të menaxhohet nga strukturat përkatëse vendore që kanë përgjegjësinë direkt për ruajtjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të këtyre burimeve natyrore të pazëvendësueshme

Nga një monitorim i kujdesshëm janë identifikuar zonat më të ndjeshme dhe të prekura nga degradimi mjedisor për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme. Parku i Lurës, deri para pak vitesh i famshëm për pasuritë e mëdha që ka në drejtim të diversitetit, të florës dhe faunës, që më parë konsiderohej unik në llojin e vet, është tjetërsuar dhe gjendet në prag të degradimit të plotë. Aktualisht, sipas vlerësimeve nga specialistë të mjedisit, pothuajse 50 për qind e sipërfaqes së Parkut është dëmtuar nga ndërhyrjet e një shfrytëzimi pa kriter të sipërfaqes pyjore që rrethon liqenet e famshëm të kësaj zone. Dëmtime të mëdha të florës kanë dhënë pasojë të drejtpërdrejtë edhe në reduktimin e ndjeshëm të faunës së kësaj zone duke rrezikuar edhe zhdukjen e disa specieve krejtësisht të veçanta.

Për rikuperimin e gjendjes kërkohen ndërhyrje konkrete, të cilat padyshim e kanë fillimin e tyre në sigurimin e një infrastrukture bashkëkohore sipas normave të BE-së që mundësojnë zhvillimin e turizmit dhe ndihmojnë në rritjen e punësimit dhe mirëqenies.

Për të rritur shkallën e vetëdijes të të gjitha strukturave, të popullsisë që jeton aty pranë dhe që gëzon benefitet e kësaj pasurie, por edhe për të bërë më të ndjeshëm të gjithë opinionin shoqëror në të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar nga nxënësit e shkollave dhe deri tek institucionet që ligjërisht janë përgjegjëse direkt për mbrojtjen e tyre, kjo nismë u zhvillua nën sloganin: “Mjedisi, streha jonë e përbashkët”.

Kjo nismë zhvillohet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit!

Pas aksionit të organizuar të dielën e 26 qershorit në zonën e Liqenit të Madh, i cili do të vazhdojë edhe në vijim nga komuniteti i zonës, nën mbikqyrjen e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura të qarkut të Dibrës, të rinjtë pjesëmarrës nga shkolla të ndryshme të qyteteve të Peshkopisë, Burrelit, Rrëshenit dhe Bulqizës janë bërë pjesë e konkursit të organizuar në bashkëpunim me Drejtorine Arsimore Rajonale të Dibrës me temë: "Propozimi më i mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës 20 vitet e ardhshme".

Të ndarë në 7 grupe sipas shkollave ku studiojnë të rinjtë kanë prezantuar projekte dhe ide se si dhe çfarë duhet bërë për zhvillimin e parkut të Lurës. Ata kanë paraqitur ide të ndryshme se si e mendojnë zhvillimin e zonës dhe partneritetin për të cilin kanë nevojë për këto ide. Në fund juria e përbërë nga këshilltari i Kryeministrit Sandër Lleshi dhe kryetarët e bashkive pjesëmarrëse kanë shpallur dy grupe fituese: 

- Shkollën e mesme të bashkuar “Perlat”, Mirditë, për projektin me temë “Digjitalizimi i itinerarit turistik të Lurës”. Të drejtuar nga profesori i tyre, Valentin Bardhoku, nxënësit e përfshirë në këtë projekt aldo Radaçi, Gilda Macaj, Ervis Shqalsi, Albana Dodaj, Erisa Ndrejaj, Preng Macaj dhe Nevila Dudaj kanë prezantuar idenë e tyre, sipas së cilës nëpërmjet teknologjisë të shfaqet në faqet ëeb i gjithë itinerari turistik i Lurës duke përshkruar pikat më tërheqëse dhe që mbartin historinë e zonës. 

- Qendrën rinore “Changing the Future”, Peshkopi për projekt idenë “Zhvillimi i qëndrueshëm i zonës së Lurës në 20 vitet e ardhshme”. Duke qenë se fokusi kryesor i kësaj organizate është fuqizimi i të rinjve për punësim, fusha që ata po rrisin në formimin e tyre është turizmi malor. Gjatë 3 viteve të ekzistencës së këtij grupi janë organizuar udhëtime për kamping me çadra, ku ky grup ka sjellë të rinj të shumtë të shohin liqenet e Lurës dhe një pjesë të kohes ia kanë kushtuar pastrimit të Liqeneve nga drunjtë e prerë. Organizata “Changing the Future” angazhohet të ngrejë një grup të rinjsh, të cilët të mbledhin informacione rreth legjendave që ka zona, rreth ushqimeve tradicionale, shtëpive ku turistët mund të akomodohen si dhe t’i trajnojë ato në komunikim, advokim si dhe në ofrimin e shërbimit të guidave turistike.

Juria gjithashtu zgjodhi edhe fituesin e vendit të dytë: ekipin me emër “Mirdita Treasure”, të përbërë nga të rinjtë: Dedjon Reçi, Serxho Pergjoni, Ada Vuka, Dajana Ruçi dhe Joana Lugja të gjimnazit të qytetit Rrëshen.

Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 u premtoi këtyre të rinjëve se do t’i përkrahë në iniciativën e tyre duke u shndërruar në një partner për realizimin e këtyre projekteve.

 

Partnerët

  • 4.jpg
  • 7.jpg
  • MIn-bujqesi.jpg
  • minturizmit.jpg
  • Min-Infrastruktures-energjise.jpg
  • ADC-Logo.jpg
  • SDC-Logo.jpg

Thirrje për Projekte

  • Thirrja per aplikime Janar 2017
  • Thirrja per aplikime Shkurt 2017
  • Thirrja per aplikime Mars 2017
  • Thirrja per aplikime Prill 2017

 

Fotogaleria

Foto nga Aktivitetet

 

Abonohu

Kontakt

Agjencia për Zhvillim Rajonal 2
Adresa: Rr. Skënderbej 6/1/7
Tirana, ALBANIA

Mail: info@rda2tirana.org.al